Hiqet taksimi me 35% i importit të çimentos

Kosova heq taksën për importin e çimentos duke i hapur kështu dritën jeshile eksportit të këtij produkti nga Shqipëria. Dje Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës njoftoi nëpërmjet një komunikate për media se pas analizave të kryera, drejtuesja e këtij institucioni Mimoza Kusari Lila nënshkroi vendimin për përfundimin e masave mbrojtëse për importin e çimentos.

Vendimi hyn në fuqi me datën 1 gusht dhe largon plotësisht taksën prej 35% të aplikuar gjatë periudhës së masave të përkohshme. Në këtë komunikatë thuhet se “masat e përkohshme, të ndërmarra me 11 qershor 2012 arritën të parandalonin fluksin e pakontrolluar të importit të çimentos, veçanërisht gjatë sezonit të ndërtimit. Ato gjithashtu kanë siguruar stabilitet për prodhuesin vendor dhe kanë mundësuar shtim të kapaciteteve në industrinë e ndërtimit”.

“Arsyet që kanë shtyrë në çrregullimin e tregut të çimentos, kanë të bëjnë me fluksin e çimentos së lirë nga Italia, e cila edhe përkundër taksës ka vazhduar të importohet në Kosovë, por edhe me vështirësitë në procesin e prodhimit të lidhura me sigurimin e lëndëve të parë, përditësimin e teknologjisë prodhuese dhe kushtet e përgjithshme fiskale.”, vijon më tej komunikata.

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë e Shqipërisë për të adresuar importin e çimentos së lirë nga Italia. Në të njëjtën kohë, MTI është duke punuar në hartimin e një liste të plotë të produkteve vendore për të cilat do të shqyrtohet marrja e masave sezonale për mbrojtjen nga importi i pakontrolluar.

Në javët e ardhshme, MTI-ja do të bëjë publike hulumtimet edhe në dy fusha të tjera të prodhimit në Kosovë. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të vazhdojë që së bashku me ministritë e tjera në kuadër të qeverisë së Kosovës, të shikojë dhe të gjejë mënyra për të siguruar një ambient sa më të mirë operues për të gjitha kompanitë prodhuese, pa marrë parasysh prej nga vijnë dhe në pronësi të kujt gjenden ato.

“Përkundër zhurmës së krijuar nga individ të caktuar për t’ju shërbyer interesave personale, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë beson se mënyra e zhvillimit të procesit në përputhje të plotë me ligjin për masat mbrojtëse, ka treguar se qeveria e Kosovës është e përkushtuar që t’i ndihmojë prodhuesit vendas me qëllim që të sigurohet një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik”, – thuhet në komunikatë.

Arikuj Te Ngjashem:


Leave a Reply