Gjithe bota syte nga Londra, sot nisin Lojrat

Do të startojnë sonte në mbrëmje në orën 22:00 me orën e Tirnës Lojërat e 30-ta Olimpike Verore. Për herë të tretë në histori kryeqyteti i Mbretërisë së Bashkuar do të mirëpresë Lojërat Olipimke Verore.

Kjo do të jetë hera e tretë që do të garohet pasi Lojërat Olimpike të vitit 1944 të parashikuara për t’u zhvilluar në Londër nuk u zhvilluan për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Kryeqyteti britanik do të mirëpresë kështu evenimentin më të madh sportiv të vitit, ku e gjithë bota do të jetë bashkë për të shijuar spektaklin e përgatitur nga britanikët.

Pas vitit 1908 dhe 1948, Lojërat kthehen në Londër pas plot 64 vjetësh në një botë krejt tjetër. Tashmë të gjithë sytë e botës mbarë janë drejtuar nga kryeqyteti i Mbretërisë së Bashkuar ku sonte në mbrëmje në orën 22:00 me orën lokale në Tiranë do të nisë Olimpiada e 30-të verore.

Spektakli që kushtoi 34 milionë euro

Shifrat ekonomike janë të frikshme në Londër. Kështu sipas organizatorëve të këtyre lojërave vetëm ceremonia e hapjes që do të zhvillohet sonte në mbrëmje (22:00, live në Eurosport dhe TVSH) i ka kushtuar buxhetit të britanikëve plot 34 milionë euro. Regjisori i këtyre Lojërave Dani Bojl ndër të tjera dhe regjisor i filmit “Slumdog Millionar” ka parashikuar që çdo gjë të jetë perfekte, gjithçka deri në detajet më të vogla në një ceremoni që sipas britanikëve pritet të hyjë në histori duke u krahasuar me ceremoninë e Lojërave Olimpike të vitit 2000 në Sidnej (Australi) apo Pekin 2008 (Kinë).

Të mërkurën në mbrëmje nën regjinë e Bojlit janë zhvilluar dhe provat e fundit që tregojnë se ceremonia do të jetë vërtet bombastike.
204 vende pjesëmarrës, Shqipëria ndër to

Gazeta gjermane “Bild” ka zbuluar disa nga sekretet e kësaj ceremonie hapëse. Kështu ceremonia e lojërave olimpike do të startojë në orën 21:00 me orën e Londrës dhe 22:00 me orën qendrore evropiane (CET).

Do të jetë vetë Mbretëresha e Elisabeta II që do t’i japë udhë Lojërave me himnin e Mbretërisë së Bashkuar dhe ngritjen e flamurit të Mbretërisë. Më pas do të ketë dhe përshëndetje të tjera, duke i lënë vendin paradës së 204 vendeve pjesëmarrës.

Do të jetë Greqia që do parakalojë e para si vendlindja e Lojërave Olimpike, ndërkohë që atletët e Britanisë së Madhe do të mbyllin këtë paradë. Më pas flaka olimpike do të mbërrijë në stadium. Për momentin po mbahet sekret se kush do të jetë flakëmbajtësi i fundit.

Atmosferë tipike e fshatit anglez në fushë

Spektakli duket i garantuar, pasi kjo ceremoni pritet të jetë e shkëlqyer. Disa nga detajet jane zbuluar edhe më parë, po pa dyshim ajo që pritet të bëjë më shumë përshtypje do të jetë prania në fushën e stadiumit olimpik i kafshëve të ndryshme shtëpiake. Kuaj, dele, lopë, pata, pula do të zbresin në fushë në një moment të veçantë duke e kthyer fushën në një fshat tipik anglez.

Ndërkohë që surprizat nuk mbarojnë me kaq, pasi Bojl ka menduar edhe më tej. I inspiruar nga Shekspiri në fushe do të zbresë një magjistar me vajzën e tij në ishullin e shkretuar.

Bidëllsat “në fushë”

Kur flitet për Anglinë nuk mund të mos mendosh muzikën. E kur mendon muzikën nuk ke se si të mos mendosh për Bidëllsat. Grupi legjendar do të kthehet në fushë, por vetëm me këngëtarin Pol Mekartni, ndërkohë që edhe figura të tjera të mëdha të artit, sportit dhe kulturës së Mbretërisë së Bahskuar do të jenë të pranishëm.

Daniel Kreig, Xhejms Bond, Dëvid Bekam do të jenë ndër yjet e shumtë pjesëmarrës në këtë ceremoni. Sipas përllogaritjeve e gjithë ceremonia çelëse e Lojërave Olimpike do të zgjasë 60 minuta.

Arikuj Te Ngjashem:


Leave a Reply