Familjaret u fshehin studenteve te plagosura vdekjen e shoqeve te tyre

Falë kujdesit dhe trajtimit të marrë nga ekipet mjekësore, përmirësimi paksa i gjendjes shëndetësore ka bërë që një nga vajzat e lënduara nga aksidenti tragjik i Himarës të dalë nga reanimacioni dhe të zhvendoset në pavijon, nga ku do të ndjekë trajtimin e mëtejshëm.

Ifsjana Karriqi ka mundur të rrëfejë për familjarët e saj që i qëndrojnë te koka shokun e përjetuar në çastin e rënies së autobusit. “Vajza na tregoi se kishte qenë në sedijen e fundit duke fjetur gjumë së bashku me dy shoqet e saj të ngushta, teksa tronditja e autobusit gjatë përplasjes ka bërë zgjimin e kobshëm të tyre nëpërmjet ulërimave.

Ndonëse në mënyrë të turbullt, vajza na tregoi se pas shumë mundimeve ka arritur të dalë nga autobusi duke u ngjitur lart nëpër gurët për të kërkuar ndihmë. Me lot në sy tregonte se, edhe pse kishte kthyer kokën pas, ku nëpër shkëmbinj kishte parë trupat e shoqeve të saj dhe dy shoqeve më të ngushta, nuk kishe mundur të jepte dot ndihmë, teksa ka lajmëruar të motrën nëpërmjet telefonit për gjendjen e tmerrshme në të cilën ndodhej nga aksidenti që kishte përjetuar”, – pohon e kunata e saj me zë të ulët teksa është duke dalë në korridorin e pavijonit për të marrë pak ajër.

Por ajo që është edhe më e tmerrshme është gënjeshtra që Ifsjanës i është thënë, pasi ka pyetur vazhdimisht për dy shoqet e saj të ngushta, të cilat fatkeqësisht (ndonëse nuk e di) nuk do të ketë mundësi t’i shohë më.

E kunata tregon më tej se prindërit e saj janë kthyer drejt qytetit të Lushnjës për marrë pjesë në ceremonitë mortore të vajzave që kanë humbur jetën në aksidentin e tmerrshëm të Himarës. Tronditja vihet re dhe në sytë e të lënduarve të tjera, të cilat vazhdimisht kërkojnë të dinë për fatin e shoqeve të tyre, por gjendja e rëndë shëndetësore dhe shoku që po kalojnë i detyron familjarët t’i gënjejnë se janë mirë.

Çastet e vështira për të afërmit e Shegushe Hakës

Me lot në sy familjarët e së lënduarës Shegushe Haka na treguan orët e tmerrit që kishin përjetuar deri në marrjen lajmit se e afërmja e tyre kishte mbërritur pranë Spitalit Ushtarak e mbijetuar, ku dhe po merrte kujdesin e specializuar mjekësor.

“Ishte e tmerrshme, pasi për orë të tëra u sorollatëm për të mësuar se ç’kishte ndodhur me vajzën. Pasi mësuam që është sjellë në Tiranë, u nisëm të traumatizuar për tek spitali ushtarak”, – thotë kushërira e saj, e cila pas një klithme të lëshuar tregon më tej edhe çastet e vështira të pritjes me orë të tëra në spital për të mësuar ndonjë gjë më shumë mbi gjendjen shëndetësore.

Teksa hedhim vështrim pak metra më tutje, shohim babain dhe të motrën, që të dërrmuar e përmes lotëve kishin mbërthyer sytë nga dera e reanimacionit, ku pritej dalja e mjekut për të mësuar nëse gjendja e vajzës kishte shfaqur ndonjë përmirësim që nga lajmi i fundit që kishin marrë.

“ Fatmirësisht, mjekët na kanë thënë që vajza ka reaguar, por gjendja e saj shëndetësore është ende e rëndë për shkak të plagëve të shumta që ka marrë. Ne nuk kemi mundur ende të hyjmë, me përjashtim të vëllait, i cili ka mundur të shohë vetëm për pak të motrën, që ishte e shokuar nga ngjarja e ndodhur dhe me dhimbje të shumta të shkaktuara nga plagët që kishte në trup”, – shton më tej kushërira e saj.

Rrëfen mamaja e Blerina Çerenit, Shoku që pësuam derisa morëm vesh ku e kishim vajzën

Nuk kanë të sosur ecejaket e familjarëve nëpër korridoret e spitalit në pritje të lajmeve për shëndetin e vajzave që po luftojnë me jetën në sallën e reanimacionit. E përfshirë nga ankthi dhe tronditja, mamaja e një prej vajzave të lënduara rëndë nga aksidenti, Blerina Cerenit, na tregon për orët e tmerrit që ka përjetuar që nga momenti i marrjes së lajmit të hidhur për aksidentin në përmjet medies.

“Pas shumë sorollatjesh në Himarë e Vlorë, – tregon e ëma e Blerinës, – ne u sinjalizuam që vajza ishte nisur drejt Spitalit Ushtarak. Erdhëm edhe vetë. Unë kisha folur pak më përpara se të ndodhte aksidenti me të dhe më tha se çdo gjë po shkonte mirë.

Nga ora 5 pastaj pamë në televizor se kishte ndodhur aksidenti. Më ngriu gjaku. Djali që e kishte përcjellë në mëngjes, më tha se ky ishte autobusi ku kishte hipur Blerina. Nuk mund të ta them se çfarë ankthi më kapi. Telefoni i vajzës nuk dilte.

U nisëm pastaj ta kërkonim se ku ishte. Dërguam ca të afërm tanë në Vlorë dhe na thanë se ishte atje, ndërkohë telefoni na binte pa pushim. Dhe ne u nisëm urgjentisht për Vlorë, pastaj na morën të afërmit tanë sërish në telefon që të ktheheshim nga Vlora, pasi televizionet e kishin dhënë që vajza po sillej në Tiranë. U kthyem në rrugë dhe erdhëm tek Ushtaraku.

Lavdi Zotit, ajo është gjallë dhe gjendja e saj është më e mirë se një ditë më parë. Vajza ime ka pësuar dëmtime të rënda në kokë, në organet e brendshme dhe është në reanimacion. Unë kam mundur ta shoh dhe madje kam folur edhe me të.

Gjëja e parë që më kërkoi ishte të dinte si ishin dy shoqet e saj të ngushta, që për fat të keq kanë humbur jetën. Normalisht që unë s’i tregova gjë dhe e qetësova duke i thënë se janë mirë, pasi nuk mund ta përballojë këtë lajm”, – rrëfen e ëma e Blerinës.

Rrëfimi i së mbijetuarës Besjana Dani “Nuk e kisha mendjen, atmosfera brenda në autobus ishte entuziaste”

“U nisem nga Elbasani, ndaluam në Apoloni dhe më pas do të ndalonim në Porto-Palermo. Unë isha ulur nga fundi. Shoferi bëri një frenim në kthesë dhe automjeti doli jashtë kontrollit”, – rrëfen turbullt Besjana Dani, studentja e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, një prej 39 personave që përjetoi çastet tragjike të aksidentit që ndodhi dje në Himarë.

E mbijetuara, që po trajtohet në Spitalin Amerikan, është në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo tregoi se pas ndërhyrjes kirurgjikale ndihet më mirë nga lëndimet që ka pësuar në trup. Rënduar emocionalisht, Dani pohoi se nuk ka qenë e vëmendshme dhe nuk mban mend shumë detaje që shkaktuan aksidentin.

“Nuk e kisha mendjen, atmosfera brenda në autobus ishte entuziaste dhe autobusin tjetër e kishim lënë mbrapa. Mbaj mend se pasi shoferi frenoi në kthesë, autobusi me të cilin udhëtonim doli jashtë kontrollit.

” Ky çast fatal i përshkruar nga Besjana u ka marrë jetën 13 personave, 11 prej të cilave studente të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, shoferit të autobusit dhe të fejuarit të një prej të mbijetuarave. 26 studente të tjera kanë mbetur të plagosura rëndë.

Arikuj Te Ngjashem:


Leave a Reply