Dhuna ndaj bluzave të bardha – Spahiu: Qeveria e paaftë për të siguruar rend

Ngjarja e ndodhur në spitalin e qytetit të Kukësit ka sjellë reagimin e Partisë Socialiste. Përmes deputetes Klodiana Spahiu PS-ja ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me dhunën e përsëritur ndaj bluzave të bardha.

“Ky është realiteti tronditës me të cilin përballen sot bluzat e bardha, që në mënyrë të përsëritur janë ngritur në greva e protesta në mbrojtje të kolegëve të tyre për dhunën e ushtruar. Ka qenë pikërisht vendosmëria dhe revolta e personelit shëndetësor të qytetit të Kukësit, që prej dy ditësh kanë kërcënuar deri në mos kryerjen e shërbimit, që ka sjellë më në fund reagimin e policisë për kërkimin e agresorit”, – vuri në dukje ajo, duke shtuar se “revolta e çdo qytetari dhe bluzave të bardha sot drejtohet ndaj kësaj qeverie të papërgjegjshme, që është edhe shkaku dhe mburoja e krimeve monstruoze e të përsëritura në çdo skaj të vendit”.

Në vlerësimin e Spahiut gjendja e rëndë ekonomike, pasiguria për të ‘ ardhmen dhe për bukën e përditshme, e shoqëruar nga ana tjetër me paaftësinë e qeverisë, e cila reflektohet në performancën e punës së organeve kompetente të tyre në luftën ndaj krimit, janë origjina e këtij seriali skenash të përditshme.

“Zgjidhja e këtij problemi është largimi i menjëhershëm i kësaj qeverie, e cila përditë e më shumë po e rëndon faturën në kurriz të qytetarëve shqiptar. Ky është edhe shërbimi më i mirë që kjo qeveri mund t’ju bëj shqiptarëve për të larë mëkatet ndaj tyre.

U bëj thirrje kryeministrit-mjek, ministrit-mjek që nuk punoi asnjë ditë në profesion dhe sot drejton Policinë e Shtetit, të dalin para shqiptarëve dhe të japin llogari për katrahurën në të cilën ndodhemi. Nuk jeni në gjendje as të mbroni bluzat e bardha që shpëtojnë jetë njerëzish, e jo të mbani shtetin më këmbë”, – u shpreh deputetja socialiste. Njëkohësisht ajo garantoi qytetarët se PS-ja do të bëjë çmos që ta rrëzojë këtë qeveri.

Arikuj Te Ngjashem:


Leave a Reply